Gjithçka mbi veten dhe familjen e tij tregon Zef Deda në këtë intervistë për ‘Summer Pages’ në Gazetën Shqiptare’.
Si po i kaloni këto ditë të nxehta vere zoti Zef?
Tashmë është periudha e pushimeve në teatër. Sezoni teatral ka përfunduar dhe janë ditët e pushimit deri në muajin Shtator. Çdo ditë në fakt dal dhe shkoj pranë Teatrit, pasi bëjmë dy pare muhabet me shokët dhe kolegët e punës, flasim për të ardhmen se çfarë do të ofrojë skena jonë për publikun. Mandej dita kalon. Qëndroj dhe pak jashtë, dal nëpër qytet e mandej kthehem në shtëpi dhe fus këmbët në ujë të ftohtë hahaha. Është shumë nxehtë, plasëm nga vapa (qesh)
Por si do ta përshkruanit një ditë nga mëngjesi deri në përfundim, në mbrëmje në Shkodër…?
Sapo dal në mëngjes pi një kafe me gruan time. Pasi kemi shijuar kafenë e mëngjesit që na pëlqen aq shumë, e shoqëroj bashkëshorten deri tek puna ndërsa unë, turrem në teatër. Takohemi atje siç thashë edhe më lart, me kolegët e mi, grijmë sallatë për artin e mandej ndal nga teatri. I drejtohem me shumë kënaqësi e bëj pak xhiro në pedonalen (rrugë këmbësorësh) e qytetit, takohem e bisedoj me njerëz të ndryshëm. Bisedojmë me ta për artin, kulturën, zgjedhjet, politikën, luftën në Siri (qesh), krizën në Greqi e shumë e shumë biseda e diskutime të tjera e më pas ia mbath për në shtëpi. Pres gruan me shumë dashuri teksa vjen nga puna. Bëj telefonata pa kufi. Flas në çdo kohë dhe jam në kontakt me fëmijët e mi në Tiranë, me mbesën e nipin që gjyshi i ka xhan e shpirt.
Jetoni vetëm me bashkëshorten? Si do ta përkufizonit jetën me zonjën tuaj në gjithë këto vite me radhë?
Po. Jetojmë të dy bashkë në shtëpinë tonë, të lumtur e mbi të lumtur. 33 vjet martesë që kam me bashkëshorten time Rozin, ohhh sa të shkurtra që më duken. Sa e shkurtër është jeta. Më duken njësoj sikur të ishin 33 javë. Mund t’ju them se, shumë pak kemi konsumuar deri tani nga dashuria jonë, edhe pse pas më shumë se tre dekadash. Nga fjala ‘Dashuri’ vetëm D-ja është hangër, kështu që duhet shumë kohë që te konsumohen germat e kësaj fjale, që të hahet e gjitha. Ne jemi dy në një, për çdo gjë jemi bashkë, si në të ftohtë ashtu edhe në të nxehtë. Jemi gjithmonë bashkë pranë njëri-tjetrit.
Bukur-bukur, çdo kohë ka qenë e bukur e kaluar bashkë.
Ju keni dy djem. Cila është marrëdhënia që keni krijuar me ta?
Po me të vërtetë, nga martesa jonë erdhën në jetë dy djemtë tanë, Juli dhe Mario. Janë fëmijët e mi, djemtë e mi, shokët e mi, kolegët e mi. Janë gjithçka për mua, për ne. I jam dedikuar mbi gjithçka në mënyrë që të jenë të shëndetshëm, të edukuar, të shkolluar, të kulturuar. Fati mi solli në jetë, të mirë e, të mrekullueshëm. Po të ndalem tek marrëdhënia ime me ta, ajo është e veçantë. Do i cilësoja si të përsosura marrëdhëniet e mia me të dy djemtë. Ata më respektojnë shumë qoftë si baba, qoftë si artist. Unë i trajtoj si fëmijët e mi, me shumë dashuri dhe si artistë me një kulturë të madhe.
Çfarë kujtoni nga momentet e lindjes së fëmijëve tuaj?
Ah nga lindja e fëmijëve në radhë të parë kujtoj mundimet që ka kaluar bashkëshortja ime kur ishte shtatzënë. E rënduar në peshë, shkonte e vinte nga puna dhe deri në momentin që më solli në jetë këta dy pëllumba që na përcollën lumturi të papërshkrueshme në shtëpinë tonë. Kujtoj çdo moment, çdo detaj dhe i kam përjetuar me shumë kënaqësi dhe emocion. Duke filluar që nga lindja tek gugatjet, tek belbëzimet teksa i shikoja që shtati po ju rritej dhe kanë ardhur kaq bukur në jetë.
Po nga martesa çfarë kujtoni?
(Qesh). Po e përkufizoj thjesht, ama, bukur martesën dhe kohën e kaluar me gruan time. ‘Martesa jonë, zemrat na gufoshin, fshehtas u takojshim, derisa erdhi një ditë që mezi e kena pritë. I këputëm një të fejuar dhe krejt papritur i futëm një të martuar. Gosti e shoqëri.
Dita më e bukur e jetës time’. Pra gjithçka ka qenë e bukur. Gjeta njeriun e jetës time, njeriun më të rëndësishëm me të cilën kaloj gjithçka, flas për gjithçka e vendos për gjithçka.
Edhe pse kohë e largët, çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj?
Ehh fëmijëria ime. Ç’të them. I ushqyer keq si në atë kohë ku jetonim. Lëvizja shumë, isha i shkathët dhe tentoja të provoja gjithçka. Lexoja shumë. Çdo gjë kishte ritëm për mua. Ëndërroja mbi gjithçka. Provoja të imitoja, të interpretoja, të këndoja dhe ishin pikërisht këto gjëra që e vendosën Zefin në zbatimin e ëndrrës së tij të skenës, një ëndërr e kahershme, që në vegjëli. I jam kushtuar skenës me shumë mundime, me shkollë e pa shkollë. Pata fatin të punoj me artistë të mëdhenj, të luaja e të interpretoja me ta. Mësova nga ata sesi të shkrihem me skenën time përballë një publiku që aq shumë na do e na dhuron respekt e dashuri. Më ka ndjekur ndër vite e më ndjek edhe sot, me të njëjtën kënaqësi e sukses, ndërsa unë ndihem vërtet i kënaqur.
Pra kështu kanë qenë fillimet tuaja në skenë?
Ç’është e vërteta të gjithë fëmijët imitojnë. Janë në gjendje ta bëjnë këtë gjë. Dhe unë kështu nisa. Kisha dëshirë të imitoja personazhe të ndryshme, të mësoja gjuhë të huaja, të tregoja zhurmën e trenit, motorëve, makinës, aeroplanëve. Imitoja këngëtarë të ndryshëm, makina shkrimi, Sten Laurel e deri tek Carli Caplin, lojën e personazheve si Kola i dritave, kunati i shokut Xhemal, e qindra e qindra gjëra të tjera që më kanë rritur aq shumë sa më bënë të marr titullin Mjeshtër i Madh. Një vlerësim i madh ky për mua që më ka lumturuar aq shumë dhe më ka bërë të ndihem i vlerësuar. Arti është jeta ime, kultura ime. Nuk jetoj dot pa të, pa teatrin skenën.
Cilët do të vlerësonit si vitet më të bukura?
Natyrisht që vitet më të bukura të miat janë sa isha i ri dhe i fortë. Plot me energji. Ehh, jo se tani nuk kam fuqi jo. Megjithëse jam 62 vjeç, jam prapë i fortë, i freskët dhe plot me fantazi. Kam shumë dëshirë e dashuri për punën edhe pse vitet kalojnë e janë mbi supe.
Hapat e tua i ndoqi edhe djali juaj, Juli. Një aktor ndër më te mirët e skenës e që ndiqet me shumë dashuri nga publiku. Ishte kjo edhe një dëshirë e juaja?
Çdo prind ka dëshirë që fëmijën e tij ta bëjë të aftë për jetën. Kështu dëshirova dhe unë, por asnjëherë nuk kam bërë ‘unin’. I kam parë fëmijët e mi me kujdes teksa vitet kalonin, duke mos ndërhyrë në pasionet e tyre dhe njëkohësisht duke trajtuar aftësinë. Kështu del më mirë në jetë, e kështu veprova me Julin. Njihej nga të gjithë si djali i Zefit, i zgjuar, i shkathët e me plot energji. Por ajo që unë kisha dëshirë te Juli, u zbulua në vitin e tretë të gjimnazit, ku u aktivizua me shkollën në teatrin ‘Migjeni’. Ishte i mrekullueshëm. Të gjithë e lavdëronin e thoshin: ky djalë ka talent. Kolegët e teatrit e mësuan dhe e përgatitën për shkollën e lartë në mënyrë që të vijonte studimet për aktor, shkollë të cilën Juli e mbaroi me sukses. Aktivizimi i tij i menjëhershëm në skenë e në ekran, ja rriti vlerat aktorit të ri Julian Dedës, djalit të aktorit Zef Deda. I faleminderit, sepse mu plotësua dëshira ime.
Çfarë mendoni sa herë i shihni shfaqjet e tij në TV?
Sa herë që e shoh në TV me grin nga emocionet. Dridhem si thupra kur e shoh pasi dëshiroj më të mirën për të, dhe dua që të dali sa më mirë dhe, spektatori të kënaqet me të, të qeshë me batutat e tij, ta ndjekë me ëndje e t’i pëlqejë. Ja priftë Zoti mbarë.
Si është jeta mes nipit dhe mbesës? Si ndiheni gjysh?
Nuk di në ka dhuratë më të bukur njeriu kur arrin të shohë nipin dhe mbesën. Ja marrsha të keqen, janë mrekullia e botës. Ndihem i lumtur si gjysh. Kur jam bashkë me ta jam gjysh, por jam njësoj edhe si Rejna dhe Mateo. Luajmë me ta, qeshim me ta, bëjmë shaka me ta. Ah sa të lumtur që jemi. Na zgjasin jetën.
Cila është dhurata më e bukur që i keni bërë gruas tuaj?
Ah, i kam bërë shumë dhurata bashkëshortes time. Më pëlqen kur i dhuroj diçka dhe ajo kënaqet. Për herë i kam dhënë fustane, lule, unaza, vëth. Po dhuratën më të madhe që s’mbaron kurrë është dashuria që i kam falur, që edhe pas vdekjes time ka për ta kujtuar.
Ju karakterizon një humor që rrallë gjendet tek një njeri. Batuta që ju karakterizojnë me të përgjatë gjithë ditës. Edhe në familje kështu ndodh?
Familja jonë karakterizohet nga gazi, pra jemi njerëz gazmorë dhe përbëjmë një familje gazmore. Bashkëshortja ime Rozi është ekonomiste, Juli aktor, Mario kompozitor, unë po ashtu aktor. Nusja e Julit, Armanda biokimiste, nusja e Marios, Enxhi psikologe. Dhe fëmijët e Julit, Reina e Mateo, janë gazi vetë dhe kur bëhemi të gjithë bashkë, vjen mëngjesi zgjuar plot humor e diskutime të këndshme. Ndihemi të gjithë mirë dhe në harmoni të plotë me njëri-tjetrin.
Keni nostalgji për skenën ndër vite?
Pikërisht për këtë gjë jeta më duket shumë e shkurtër. Nuk jam ngopur dhe nuk kam për t’u ngopur kurrë së interpretuari në skenë. Ma do zemra, ma do shpirti. E dashuroj gjithmonë, në çdo çast skenën. Ajo është e imja. Po, është e vërtetë. Kam nostalgji të madhe për të. Për vitet e kaluara. Për kohën kur kanë qenë lulja e rinisë, teksa interpretoja pareshtur në skenë e ndiqesha nga një publik i tërë që më adhuronte dhe më adhuron edhe sot e kësaj dite.
Ku do të pushoni këtë vit?
Kaloj ditë të bukura në Shkodër. Në Velipojën time të dashur. Gjithashtu këtë vit pushimet tona do të jenë në Turqi, në Antalia bashkë me familjen time.
Nisida Knezi Gazeta Shqiptare
Nessun commento:
Posta un commento