Thuhet se “Big Brother”-i të hap dyert e suksesit, dhe ndoshta Graciano është një shembull. Vetëm se ai nuk u bë i njohur vetëm nga pjesëmarrja në këtë reality… Ne, bashkë me Gracianon, u njohëm edhe me talentin e tij si balerin e gjithashtu me përkushtimin e tij të madh për të ecur përpara në këtë rrugë… Edhe pse një djalë 19-vjeçar, ai ka bërë tashmë investime të rëndësishme për karrierën e tij, si hapja e një palestre private, angazhimi në evenimente të rëndësishme, apo pjesëmarrja në reality.
Por duket se djaloshi nuk mjaftohet me kaq… Ai ka vendosur të shkojë edhe më tej, duke e vënë veten në sprova akoma më të mëdha. Graciano ka bërë audicionet për t’u futur në një shkollë të rëndësishme televizive si “Amici” dhe me optimizmin që tregon teksa u përgjigjet pyetjeve tona, duket se do ia arrijë. Ne ia urojmë!
Graciano, si lindi ideja për të konkurruar tek “Amici”?
Faktikisht unë nuk e kisha fare si ide. Në Itali isha për pushime dhe shkova të takoja babin në Firenze. Audicionet bëheshin në Romë dhe babi këmbënguli që duhet të shkoja ta provoja. U nisa për në Romë duke qenë fare i papërgatitur dhe shihja që të tjerët kishin ardhur të stërvitur dhe me koreografi gati. U detyrova të improvizoja. Pasi performova më thanë që do të më lajmëronin për audicionin e dytë. Të nesërmen më telefonuan. Nuk e prisja…
Audicioni i dytë, si shkoi?
Si fillim spostova datën e biletës për kthimin. Audicioni i dytë them se shkoi me sukses, sepse më thanë që më kishte zgjedhur koreografja e famshme Alessandra Celentano.
Celentano është ajo “e tmerrshmja” që kanë frikë të gjithë, apo jo? Kush të tha se të zgjodhi ajo?
Luca, që prezantonte dhe që ishte njëkohësisht anëtar i komisionit, më tha se unë isha tek baleti klasik dhe bëja pjesë në kategorinë e Celentanos.
Si funksionon? Cila është mënyra për t’u bërë pjesë e audicioneve?
Pasi zgjedh zhanrin në të cilin do të konkurrosh, shkon në vendin ku bëhen audicionet dhe plotëson formularin me të gjitha të dhënat. Më pas futesh në audicion.
Edhe ti kështu veprove, apo të ndihmoi dikush?
Normalisht, këtë procedurë ndoqa dhe unë, vetëm me një ndihmë të vogël. Si “katunar” që jam nuk di italisht dhe dikush aty më ndihmoi të plotësoja formularin (qesh). Kurse tek audicioni i dytë mora me vete shokun tim të ngushtë, që më ndihmoi dhe e falenderoj shumë. Pastaj prindërit, miqtë, ndër ta edhe Edgari, për fazën e dytë u vunë në lëvizje të më gjenin një palestër ku mund të stërvitesha, të më ndihmonin për hotelin, si emigrant që isha (qesh).
Çfarë të kërkoi komisioni kur u fute në audicion?
Në audicioni e parë futeshin 15 vetë. Pas performancës ata thërrisnin emrat e atyre që duhet të largoheshin. Unë nga hutimi nuk kisha kuptuar fare se çfarë po ndodhte vërdallë dhe në fund pashë që kisha mbetur unë me tre të tjerë. Aty pata frikë se mos nuk kisha dëgjuar emrin e po rrija kot. Pastaj ata vetë na thanë se ne kishim fituar dhe kalonim në fazën tjetër.
Kishe emocione?
Shumë. Normale. Megjithatë edhe pse shumë i emocionuar, çuditërisht në momentin që u futa në sallë mora një forcë në vetvete që nuk e di se nga më erdhi. Më ndihmoi Zoti. Më duhet të them se pata fat, sepse konkurrenca ishte vërtet e madhe. Aty kishin ardhur të rinj shumë të talentuar nga e gjithë bota.
I tregove komisionit që ke qenë pjesë e “Big Brother”?
Gjatë plotësimit të formularit, tek pjesa ku kërkoheshin aktivitetet artistike, unë shënova edhe që kam qenë konkurrent në “Big Brother” për 80 ditë. Uroj që ata të shohin ndonjë video timen, që të kuptojnë se unë flas e madje jam edhe impulsiv, meqë në italisht nuk fola as edhe një fjalë.
Kishte konkurrentë të tjerë nga Shqipëria?
Po. Ishte edhe një vajzë që konkurronte për këngë.
Të njihte?
(qesh) Babi më bëri një shaka. Gjatë kohës që unë isha brenda në audicion, ai kishte takuar këtë vajzën e i kishte kërkuar që kur të dilja unë të më afrohej e të më kërkonte foto, duke folur italisht. Unë dal dhe ajo më afrohet e më flet. E kuptova pak a shumë se çfarë më kërkoi dhe pasi bëra foton i thashë me krenari babit: “E shikon sa i famshëm jam bërë, edhe në Itali më njohin”. Aty ajo më kthen përgjigje në shqip e pastaj filluan të qeshnin…
Edhe sa audicione duhet të kalosh?
Tani po punoj shumë për audicionin e tretë që është në fund të korrikut. Gjithë ditën mbyllem në palestër e bëj prova. Nëse e kaloj edhe këtë fazë, pastaj mbetet tetori kur fillon shkolla e “Amici”-t.
Kur e merr përgjigjen përfundimtare?
Pas fazës së tretë besoj.
Si mendon, do arrish të bëhesh pjesë e “Amici”-t? Çfarë parandjenje ke?
89% them se po. E vetmja gjë që mund të më penalizojë, është gjuha.
Takove ndonjë personazh të famshëm italian?
Nuk takova, por pashë Alessandra Celentanon dhe Garrison, që janë koreografë shumë të njohur dhe profesorë në “Amici”. Gjithashtu, në një tavolinë, nëpërmjet një mikeje të përbashkët, takova Fabrizio Coronën.
Ishte mendjemadh siç thonë? Por për Belen e pyete?
Jo, mua m’u duk i thjeshtë për aq sa arrita të kuptoj, duke qenë se vetë nuk dija të thoja asnjë fjalë. Për Belen nuk e pyeta se nuk desha ta ngacmoja në detaje kaq intime (qesh).
Ndërkohë, ti ke lënë në mes një tjetër shkollë… Si u ndjeve kur more vesh se ishe përjashtuar nga “Akademia e Arteve”? Do rikthehesh aty?
Nuk më erdhi mirë fare, pavarësisht se zysha ime kujdestare, të cilën e falenderoj, bëri të pamundurën që kjo të mos ndodhte. Dekani i “Akademisë”, Kastriot Çaushi me sa duket ishte shumë i vendosur për përjashtimin tim, përderisa kishte shkruar në regjistër “Të përjashtohet Graciano i ‘BB5’”. Sidoqoftë unë “Akademinë” do e vazhdoj, por, se kur do rikthehem, akoma s’kam vendosur. Për momentin dua të përqendrohem vetëm tek “Amici”.
Bluetooth
Nessun commento:
Posta un commento