Këngëtari i cili vazhdimisht i këndon me dashuri kryeqytetit të Shqipërisë, Big Basta, e ka kritikuar këngën "Ku ka si Tirona", nga Ermal Mamaqi dhe Dr. Flori, për të cilët konsideron se i kanë fyer qytetarët e Tiranës.
"Me Ermalin jemi miq dhe duke e njohur, jam i bindur që nuk ka qenë qëllimi i tij për t'u tallur me qytetin e Tiranës apo me qytetarët e këtij vendi, për më tepër që ai nuk ka bërë as këngën e as tekstin, por vetëm interpreton me humorin e tij të spikatur, siç ka bërë edhe herë të tjera. E ka profesion humorin dhe nuk ia merr dot për ters".
"Po ai Doktori nuk e kuptoj çfarë kërkon të tregojë me qershi te veshi?! Ndoshta e ka marrë me qejf të madh estradën dhe shpreson të bëhet pjesë e ndonjë shou për të qeshur... I uroj fat!".
"Kam përshtypjen që janë munduar të gjejnë diçka që do të sjellë më shumë dasma, pasi dihet që 'Naploni' është ndoshta kënga më e kërcyer nëpër eventet shqip kudo në botë. I vetmi problem që unë kam, është që shumë artistë po mundohen të gjejnë çfarë kërkon tregu duke shfrytëzuar dhe duke bastarduar muzikën e pastër shqiptare, tradita apo imazhe të krijuara me mund gjatë gjeneratave. Kjo po ndodh me muzikën popullore shqiptare, si edhe me muzikën qytetare shqiptare".
"Për sa i përket Tironës, nuk besoj që është një qytet aq i zbehtë e me njerëz të mefshtë sa në klipin e tyre, përkundrazi është kryeqyteti i Shqipërisë, qyteti shqipfolës me më shumë banorë në botë, dhe kryeqyteti botëror i fesë bektashiane, aty ku të gjithë ulen së bashku për të ngrënë një lugë hashure, pa dallim intelekti, ngjyre, besimi apo frymëzimi. Tirana është e të gjithëve, ashtu si edhe Prishtina, Ulqini apo Tetova. Qyteti tashmë numëron afro një milion banorë…", ka thënë Big Basta në një intervistë për Panorama Plus.
Nessun commento:
Posta un commento