Pagine

Kerko

fb like

Ads

Ads

lunedì 25 giugno 2012

Afërdita Dreshaj: Kontrata me “Birra Tirana”, më e mirë se reklamat ne SHBA



Ishte vetëm 12 vjeç atëherë kur këndoi për herë të parë. Më pas e la këngën për vite me radhë e u fut në botën e modelimit dhe bukurisë. Sot, padyshim Afërdita Dreshaj është një ndër vajzat më interesante të botës së bukurisë në hapësirën shqiptare. Së fundi provoi edhe të vallëzojë përkrah yjeve të tjerë, ndërsa nuk kaloi pa “u peshkuar” për të qenë imazhi i “Birra Tirana”.
Nën të kuqe dhe me birrën Tirana, Afërdita duket “ndjellëse” në këtë verë, për të cilën duket se artistja e re ka shumë për të treguar…
Atë e takojmë bashkë me Shpat Kasapin, të fejuarin e saj, ndërsa darkojnë së bashku mbrëmjen e së enjtes në një nga lokalet e Tiranës, ku së fundi kanë blerë edhe një shtëpi e ku kanë plan të jetojnë së paku për një vit, por pse edhe jo për më shumë.
Duket se ofertat e këtij viti për Dreshajn kanë qenë jo modeste dhe që premtojnë së shumti, financiarisht si dhe nga ana e karrierës. Për një pjesë të tyre, Afërdita tregon në këtë intervistë.
Njiheni si këngëtare, modele. Së fundi provuat edhe botën e kërcimit në “Dancing with the Stars”. Në fakt, kush është Afërdita Dreshaj. Mund të tregoni diçka për veten dhe për fillimet tuaja në botën e spektaklit dhe bukurisë?
Kur kam filluar karrierën si modele kam qenë 17 vjeç dhe ndodhesha në Amerikë. Aty dhe fillova. Kam udhëtuar më pas dhe në Evropë. Ndërsa më vonë kam marrë pjesë në Miss Shqipëria, aktivitetin e organizuar nga Petri Bozo në vitin 2007, ku u zgjodha si shoqëruesja e parë e Miss-it dhe që atëherë u dashurova me Tiranën. Atëherë u dashurova edhe me Shpatin. Me të isha njohur në fillim në Mal të Zi. Kemi qëndruar në lidhje një vit vetëm nëpërmjet internetit dhe telefonave. Kemi qenë në “dashuri elektronike”, se ai ishte në Maqedoni dhe unë në Amerikë. Pas një viti unë erdha në Shqipëri ku na ra rasti të rrimë më gjatë. Prej atëherë deri tani, të fejuar kemi katër vite bashkë e tre vite të fejuar. Po na shkon shumë mirë bashkë, siç dhe e dini. Kemi marrë shtëpi në Tiranë. Të dy e duam shumë Tiranën.
Kjo do të thotë se mendoni të jetoni në Tiranë?
Për një kohë, po. Ne zakonisht nuk planifikojmë kurrë për një kohë të gjatë, por për një vit të paktën këtu jemi. Zakonisht jemi në lëvizje, Kosovë-Maqedoni. Por tani e kemi edhe këtu shtëpinë, ashtu si dhe në Shkup. Kështu që do të jemi në lëvizje.
Në raport me Shqipërinë, ç’vend zë Amerika në jetën e Afërditës?
Atje shkoj shumë shpesh. Edhe tani po mendoj të iki për dy javë, të takoj edhe familjen, të relaksohem pas një sezoni shumë të lodhshëm me “Dancing with the Stars”. Pastaj do të vij të kthehem këtu, në sezonin që janë koncertet.
E ndien veten më shumë shqiptare apo amerikane?Dikush që më njeh e di në fakt që unë jam shumë shqiptare dhe jam tepër patriote, kombëtare. Ndjehem shumë e lumtur që kudo ku të iki e të udhëtoj, t’u tregoj njerëzve se kush jemi, nga vijmë dhe çfarë traditash kemi.
Ç’rol luan apo ka luajtur familja në formësimin e Afërditës si artiste?
Mami ka qenë çdo herë pranë meje dhe nuk do të mundem kurrë ta falenderoj për atë se sa e fortë dhe se sa mbështetje kam pasur prej saj, sepse unë jam rritur pa babain. Babi im ka vdekur kur unë kam qenë vetëm 12 vjeç dhe ajo ka arritur të rrisë e vetme tre fëmijë në një botë kaq problematike, sidomos në Amerikë, në një vend kaq të madh. Ka qenë çdo herë pranë meje. Ka lënë jetën e vet anash që të na rrisi ne. Kam një motër dhe një vëlla, më të vegjël se unë dhe prandaj nuk shkëputem dot më shumë se tre muaj larg Amerikës sepse më marrë shumë malli për ta.
Të flasim për Afërditën artiste. Ju fillimisht jeni shfaqur si këngëtare. Si ndodhi që u lidhët me botën e muzikës?
Si këngëtare jam shfaqur kur kam qenë 12 vjeç. Më ka bërë babi këngën e parë. Ai ishte profesor i gjuhës shqipe, por ka pasur shumë qejf që të merresha me muzikë. Ai ka bërë tekstin e këngës dhe më çoi drejt studios të bëja një këngë për fëmijë sepse kishte shumë dëshirë. Në fakt, shumë shpejt pas kësaj ai ndërroi jetë dhe nuk pati mundësi të shijonte atë që ëndërronte të shihte dhe ne u larguam në atë kohë në Amerikë, ndaj u shkëputa krejt nga muzika. Atëherë nuk kisha mbushur ende 13 vjeç dhe kështu u ndërpre karriera ime në muzikë, që ndoshta do e kisha pasur më të gjatë dhe më të madhe. Por më pas iu riktheva muzikës me Shpatin. Shpati e dinte këtë histori timen dhe ma bëri faktikisht si surprizë. Bisedonim se ndoshta do të ishte mirë të realizoja një këngë, pse jo. Meqënëse kishte pasur dëshirë edhe babi, pse mos ta bëjmë?! Por ishin thjesht biseda. Kur një ditë Shpati më thotë: ikim në studio që të dëgjojmë demon se e kam për një këngë të re timen. Vetëm kur shkojmë, e shoh se kishte përgatitur demon me tekst për mua dhe e lëshoi këngën. Ishte kënga ime e parë, “Nëse je burrë”. Ishte një ndjenjë shumë interesante, e bukur dhe një emocion që nuk mund të kthehet. U prit mirë nga publiku dhe tani kam një album timin, shtatë videoklipe të miat e në këtë sezon jam në kërkim të një kënge të re dhe të një videoklipi që do të dalë shumë shpejt.
Keni menduar për një bashkëpunim të dy bashkë, ti dhe Shpati?Gjithmonë është ky mendim dhe do të kemi një këngë bashkë, por jemi në pritje të një kënge të tillë që të na pëlqejë të dyve. Të jemi të dy dakord e ta bëjmë bukur, ashtu siç e pret publiku. Kemi shumë pyetje të tilla, si do e bëni, kur. Do e bëni këngë ritmike apo baladë?! Ne do të shohim momentin dhe kohën e duhur.
Duke qenë të dy artistë e të dy të lidhur me muzikën, mendoni se kjo pjesë e ndihmon lidhjen apo krijon “probleme dominimi”?
Faktikisht është e bukur se kur ulemi në tavolinë e bisedojmë për punën tonë. Ndonjëherë kemi dhe zënkat tona të vogla, por më pëlqen kjo. Këto janë në anën pozitve se nuk është se unë flas për një lloj tjetër bote e Shpati është në një tjetër botë. Kjo na bashkon. Është e bukur. Më pëlqen që jemi të dy në të njëjtën fushë të artit.
Së fundi, ju u shfaqët në ekranin shqiptar si pjesëmarrëse në spektaklin “Dancing with the Stars”, ku edhe u eleminuat dy herë. Si do ta cilësonit këtë përvojë?
Kur më kanë ftuar në “Dancing…” kam qenë në Amerikë dhe nuk e dija a do të mund të vija të merrja pjesë a jo, meqënëse isha atje deri në muajin shkurt. U mendova, fola dhe me Shpatin, meqenëse ai ishte atje një vit para meje. Ishte një gjë që vërtet donte shumë kohë dhe donte t’i përkushtohej e të vendosesha në Tiranë. Kjo kërkon të lesh pas karrierën tënde, sepse duhet të jesh i angazhuar çdo ditë këtu. Nga “Dancing…” kam dalë edhe e kënaqur, por edhe e surprizuar prej disa gjërave që kanë ndodhur. Më mirë të them, nuk e kam ditur se si ndodhin gjërat në Shqipëri. Me këtë rast do ta cek se kam pasur përherë përkrahjen e jurisë dhe publikut dhe kjo më kënaq shumë. Kam dalë edhe herën e parë, edhe herën e dytë me maksimumin e pikëve, që do të thotë se e kam parë veten time atje ku kam dashur ta shoh.
Thatë se jeni ndjerë e surprizuar. Pse? Si i shpjegoni të papriturat, zhvendosjet në vlerësim gjatë këtij spektakli?
Herën e parë kur më kanë eleminuar ka qenë jo e papritur për mua, por për krejt stafin. Sepse me largimin tim atë ditë, kam parë lot nga disa njerëz që më kanë thënë se nuk kishin qarë prej tre vjetësh. E ndjeva se kisha lënë një gjurmë të mirë me stafin. Kisha 27 pikë atë ditë. Se si dola nuk di si ta them. Është pjesë e një show. Pas një jave u bë rikalkulimi. Në botën e “Dancing…” është mundësia që një i eleminuar të rikthehet. Këtu u rikthyen tre. Nuk arrij ta kuptoj akoma. Unë në fund u eleminova. Por rëndësi ka që eleminimi i dytë nuk më ka bërë të ndihem keq sikurse eleminimi i parë. Pasi në këtë fazë e prisja që mund të ndodhte çdo gjë në këtë spektakël.
Mendoni se vlerësimi i jurisë ka qenë i drejtë?
Juria vlerëson drejt, sepse po të ishte për jurinë nuk do të dilja.
Atëherë, juria sipas jush është thjesht “fasadë”e një lloj marionete e drejtuar nga tjetërkush?
Më vjen keq nëse kjo ndodh, sepse nuk e di çfarë ndodh brenda. Por mendoj se publiku i sheh shumë gjërat. Nuk është ashtu si dikur që mund të fshihen gjërat e prapaskenës. Gjërat shihen. Do të shohim sot si do të kalojmë në finale.
Ju kë përkrahni dhe për kë bëni tifo?
Atje i kam të gjithë miq, sepse konkurrentë kemi qenë të gjithë, kemi kaluar shumë mirë. Nuk kam pasur asnjë problem me asnjeri. Iu roj shumë suksese të gjithëve. Por në veçanti Foto Strakoshës që e kam shumë xhan, Zhakut dhe Ornelës.
Megjithatë, Tirana duket se po ju ofron më shumë përveç “Dancing…”. E tillë është për shembull reklama që keni realizuar për Birra Tirana. Si ndodhi që u bëtë imazhi i kësaj birre?
Ndodhi rastësisht. Jam marrë me reklama dhe në Amerikë, por është kontrata e parë që bëj në Shqipëri. Duhet ta prek që kam mbetur shumë e kënaqur me stafin e Birra Tiranës. Nuk kam pritur se ka një staf profesionistësh si ata, duke filluar nga pagesa, nga sjellja, xhirimet e videos së reklamës. Çdo gjë ka qenë duke më parë si personazh publik, si një “vip” i reklamës. Është kënaqësi e madhe që kudo ku të rrish e sheh reklamën dhe zakonisth marr komplimente të tipit: uau, ajo reklamë duket sikur është bërë në Amerikë. Kjo është një gjë shumë e bukur për mua. Edhe fakti që ka mbetur ajo pjesa ku lagem me birrë, për të cilën të gjithë thonë: po si u lage me birrë etj. Është e bukur kur bën një reklamë dhe mbetet ajo pjesa që do të të kujtojnë njerëzit.
Në këtë reklamë ju shfaqeni vërtet sensuale dhe verore. Shpati ndjehet xheloz për këtë pjesë?
Shpati faktikisht nuk është xheloz. E kam thënë disa herë që ne kemi një “marrëveshje” e ndoshta prandaj jemi këtu në një tavolinë duke ngrënë akoma. E kuptojmë njëri-tjetrin dhe punën e njëri-tjetrit. Kjo ka të bëjë shumë. Në momentin që i kam treguar Shpatit se do të realizoja reklamën e birrës ai më tha: do të jetë me bikini? I thashë nuk e di, ndoshta. Ai më tha: ok, pse jo?! Shpati e di që jam marrë në këtë fushë për disa vite dhe jam profesioniste. Kam bërë shumë reklama. Kam punuar në Amerikë, në Greqi, në Gjermani. Por për një birrë, për një pije alkoolike është hera e parë, kështu që ka qenë më ‘fun’.
Ti vetë e pi birrën?
Po, unë e pi shumë birrën pasi zakonisht mendojnë se unë nuk pi birrë. Kur dal gjëja që porosit më shumë është birra. Më duket e freskët, e mirë, ‘fun’. Këtë kuqalashen e kam provuar edhe para se të bëj reklamën dhe më ka pëlqyer shumë se është bjonde, ‘light’, tamam femërore dhe më pëlqen. Por tani po e pi dhe më shumë. Shpresoj t’i ketë pëlqyer publikut dhe ju them: prisni dhe më shumë. Do të keni dhe reklama të tjera. Do të jenë shumë interesante këtë vit. Reklamat e tjera do të jenë shumë më ndryshe nga kjo që kemi parë dhe do të jenë interesante.
Thatë se jeni e kënaqur nga pagesa e bërë. Sa është kjo pagesë?
Me shifra kurrë nuk flas, por ka qenë një ndër kontratat më të mira që kam bërë. Ka qenë një kontratë më e mirë se sa njerëzit mendojnë. Unë jam imazhi njëvjeçar i Birra Tiranës. Do të ritheksoj se ndjehem me fat që kemi bashkëpnuar e nuk më është dukur se po punoj. Por sikur po bëjmë një “birrë party” dhe kjo ka pasur rëndësi për mua. Kemi punuar rreth 4 ditë, por jemi kënaqur.
Përveç kontratës me Birra Tiranën, cilat janë planet tuaja të afërta apo ndonjë dëshirë që prisni të realizohet së shpejti?
Dëshirat janë pafund, por zakonisht kur mendoj për gjërat nuk më dalin. Kështu që shumë gjëra vijnë në mënyrë të papritur, edhe një javë të dorëzoj kurorën “Miss Kosova”. Ajo më pret për momentin. Është diçka ndryshe. Do të dorëzoj kurorën e nuk do të jem me statutin “Miss Kosova”. Kjo është e bukur, por ka edhe emocionet e veta. Ka qenë një vit i bukur, por edhe shumë i suksesshëm për mua. Shpresoj që edhe vitet e tjera dotë jenë si ky.
Pasaporta “ndryshe” e Afërditës
Studimet: Kam edhe disa provime për të mbaruar studimet për pedagogji në Amerikë. Pedagogjia është diçka që i ka pëlqyer çdo herë dhe një “rezervë” që mund t’i shërbejë për çdo rast.
Koha e lirë: E kalon duke takuar ndonjë shoqe, duke pirë kafe apo duke ndonjë film. I pëlqen shumë kinemaja dhe nuk e frekuenton shumë jetën e natës. I pëlqen të dalë më shumë në një restorant të qetë, me piano apo muzikë live. Nëse do të duhej të zgjidhte mes jetës së natës në Amerikë apo në Tiranë, padyshim do të preferonte Tiranën.
Kujdesi për linjat: Dieta për Afërditën nuk ekziston. Mendon se edhe nëse do të kishte nevojë për dietë nuk do të mund t’ia dilte dot ta respektonte edhe për shkak të impenjimeve të shumta. Falenderon Zotin që ka një familje ku të gjithë i kanë linjat fizike në rregull dhe me një metabolizëm shumë të mirë. Megjithatë, përpiqet të mos e ekzagjerojë me ushqimin dhe të bëjë kujdes, por jo të mbajë dieta.
Pjata e preferuar dhe kuzhina: Ushqimi italian dhe ushqimi kinez. Tenton herë pas herë edhe të gatuajë, edhe pse nuk di shumë të gatuajë.
Gjërat që pëlqen më shumë te i fejuari, Shpati: Sinqeriteti, thjeshtësia dhe buzëqeshja që nuk i ikën kurrë.
Gjërat që Shpati veçon te Afërdita: Sinqeriteti, origjinaliteti i saj, kreativiteti që ka dhe fakti që është gazmore dhe çdo herë në qejf.
Martesa: Diçka që i përket së ardhmes, ende e paplanifikuar. Para martesës kanë ende shumë për të bërë…
Njerëzit më të afërt që ndikojnë më shumë në jetën e Afërditës: Shpati dhe mami.
Bukuria: Bukuria është një plus në jetë, por kur vjen puna te bukuria e shpirtit, bukuria e jashtme është një zero.
Birra: Birra, sidomos tani në sezonin e verës është një gjë shumë e freskët dhe ‘hot’ në të njëjtën kohë. Ndjehesh mirë dhe buzëqesh.
“Konkurrenca” me Adelina Tahirin
Mike e afërt me Adelina Tahirin, u futën bashkë në “Dancing…” e i larguan prej andej po bashkë. Pohon se në momentin që kanë hyrë atje kanë qenë konkurrente, por jo me xhelozi. “E kemi ndihmuar njëra-tjetrën dhe kemi komentuar çdo gjë, kemi dhënë këshilla dhe kemi jetuar bashkë. Ne kemi vendosur të vijmë bashkë në spektakël. Kemi qenë të dyja kur na kanë ftuar, të dyja jemi ulur dhe kemi biseduar të shkojmë apo të mos shkojmë. Ka qenë një zgjedhje e të dyjave”.
Intervistoi Blerina Goce

Nessun commento:

Posta un commento