Pagine

Kerko

fb like

Ads

Ads

giovedì 31 maggio 2012

Cmimet Kult, Shpallen për 10 personalitete në art



Në një mbrëmje gala u ndanë 10 trofe për artistët më të mirë.
Çmimet Kult, triumfojnë të “rinjtë” përballë të “vjetërve”
Nën drejtimin e Rovena Dilos dhe Mevlan Shanajt, gara e çmimeve u ndërthur me spektakël e homazh.
Në një mbrëmje gala, siç i ka hije shpalljes së artistëve më të mirë të vitit, mes 40 kandidatëve u ndanë trofetë vetëm për 10 syresh.
Për të tetin vit me radhë, Akademia Kult ka vlerësuar më të mirët, ata që kanë spikatur përgjatë një viti në jetën artistike dhe kulturore, jo vetëm në kryeqytet. Ceremonia e ndarjes së trofeve u zhvillua pikërisht në një vend arti, në sallën e madhe të Universitetit të Arteve. Nën drejtimin e këngëtares Rovena Dilo dhe aktorit e regjisorit Mevlan Shanaj, mbrëmja mori një ngjyrim të veçantë. Emocionet e garës u gërshetuan me elementet e spektaklit, por edhe me sharmin e dy drejtuesve, që si askush tjetër i kuptonin kolegët e tyre në garë, të cilët prisnin nga momenti në moment t’u thirrej emri.
Dhe askush më mirë se ata nuk dinë ta trajtojnë të ngjashmin e tyre me delikatesë, edhe pse gara është gjithnjë e ashpër. Dhe duhet thënë se gara e këtij viti ishte vërtet e fortë. Jo thjesht për shkak të emrave që ishin në garë, por edhe të mënyrës së shpalljes së fituesve. Tanimë bëhej fjalë për një juri të shumtë në numër. Akademia tashmë ka përzgjedhur 80 anëtarë nderi të përhershëm.
Përballje artistësh
Pianistja Elda Laro duke marrë çmimin e “Instrumentistes më të mirë”
Në 10 kategori garuan 40 artistë. Kishte mes tyre nga ata që tashmë janë vlerësuar edhe më parë nga Çmimet Kult, por vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së publikut, por kishte edhe artistë të rinj, të cilët kanë ditur të tërheqin vëmendjen dhe të bëhen faktor. Dukej gati si e pabesueshme, por mes një Vaja të Yllka Mujos dhe një Bernarda Alba të Luiza Xhuvanit, të fitonte pikërisht Poncia e Taulanta Jupit. Apo përballë Xhon Proktorit të Timo Fllokos tek “Shtrigat e Salemit” apo Salierit të Fatos Selës, të fitonte Fredi i Gazmend Gjokës, i cili shënonte dhe një rikthim të tijin në skenë me këtë rol, pas vitesh të gjata mungese. Apo në artet pamore, përballë viteve të Vilson Kilicës dhe Sadik Spahisë, apo njohjes ndërkombëtare të artistit shkodran Adrian Paci, të fitonte skulptori Arben Bajo, i cili prej vitesh ka jetuar jashtë vendit. Në fushën e librit artistik nuk ka ndonjë surprizë të madhe. Mes Idlir Azizit, Rudian Zekthit dhe Zija Çelës, shpallet si libri i vitit romani provokues “Shqipëria” i Ben Blushit, i cili gjatë panairit të fundit të librit në Tiranë u kthye në një best seller. “Në librin tim jam munduar të jap ca përgjigje se ç’bën Zoti në situata të ndryshme. Tani pyes se ç’ben Zoti kur bie shi. Nuk e ka këtë fat, njerëzit, po”, tha Blushi teksa tërhoqi trofeun. Ka triumfuar Altin Basha me regjinë e tragjikomedisë “Amadeus” përballë kolegëve të tij
Përkthyesja Drita Çetaku Turdiu, duke tërhequr trofeun “Kult”
Spiro Duni, Milto Kutali e Inis Gjoni. Më i heshtur se të tjerët, por fitues, kantautori Redon Makashi ka fituar trofeun e albumit të vitit për përmbledhjen muzikore “Bota ime”, përballë këngëtarëve më mediatikë Alban Skënderaj, Elvana Gjata dhe Sidrit Bejleri. Ka shkëlqyer në rolin e Ëerterit tenori me famë botërore Saimir Pirgu, ndaj edhe e ka merituar trofeun e interpretuesit lirik të vitit. Në pamundësi të prezencës së tij, trofeun e tërhosi sopranoja Mariana Leka, që lexoi edhe përshëndetjen e tenorit. Por nuk ka qenë më poshtë edhe partnerja e tij në të njëjtën operë, mexosopranoja Vikena Kamenica në rolin e Sharlotës, apo Eva Golemi në rolin e princeshës në operën “Turandot” e Armando Likaj në rolin e Papagenos tek “Flauti magjik”. Në fushën e librit enciklopedik është vlerësuar studiuesi, akademiku Kolec Topalli, në fushën e përkthimeve Drita Çetaku-Turdiu për shqipërimin në mënyrë mjeshtërore të romanit të Orhan Pamuk, “Muzeu i pafajësisë”. E përlotur ajo ndau gëzimin e saj me “gjithë libërdashësit”. Ndërsa në kategorinë e instrumentistit të vitit rrëmbeu trofeun pianistja Elda Laro.
Spektakli
Nën moderimin e dy njerëzve të artit dhe ndarjen e trofeve prej 20 personaliteteve të artit dhe kulturës, gara u alternua edhe me elemente të shumta spektakli. Veç numrave të baletit, emocion ka sjellë në skenë përmes interpretimit të vargjeve të poetes Vojsava Nelo, aktorja Margarita Xhepa. Kësaj mbrëmjeje gala nuk mund t’i mungonin dhe më të mirat e repertorit operistik, interpretuar nga solistja e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, sopranoja Marana Leka, por edhe interpretimi i këngëtarit të dashur për publikun, Sidrit Bejleri, klarinetistit Fatos Qerimi, kantautorit fitues Redon Makashi, etj. Një moment i shoqëruar me duartrokitje nga të pranishmit, por edhe me emocion, ka qenë momenti i homazhit. “In memoriam” për artistët e dashur të skenës, të cilët janë ndarë nga jeta jo shumë kohë më parë. Ndër ta Nina Mula, Agron Aliaj, Ardian Klosi, Myzafer Xhaxhiu, Adriatik Kallulli, Pushkin Lubonja, Sheri Mita, Enver Dauti, Saim Kokona, Nikolet Vasia, Gjinovefa Heba, Din Mehmeti, Zija Xholi.
Fituesit e vitit

Artisti pamor i vitit
Arben Bajo me ekspozitë personale “Portrete” në Galerinë FAP
Aktori i vitit
Gazmend Gjoka në rolin e Fredit në “Riverside Drive”
Aktorja e vitit
Taulanda Jupi në rolin e Poncias në “Shtëpia e Bernarda Albës”
Regjia e vitit
Altin Basha me “Amadeus”
Libri artistik i vitit
Ben Blushi me romanin “Shqipëria”
Përkthyesi i vitit
Drita Çetaku-Turdiu me romanin e Orhan Pamuk, “Muzeu i pafajësisë”
Libri enciklopedik i vitit
Kolec Topalli me librin studimor “Gramatikë historike e gjuhës shqipe”
Albumi muzikor i vitit
Redon Makashi me “Bota ime”
Elda Laro, piano me Koncert me Orkestrën e RTSH-së
Interpretuesi Lirik
Saimir Pirgu në rolin e Werterit në operën “Werther”
ALMA MILE PANORAMA

Nessun commento:

Posta un commento