Pagine

Kerko

fb like

Ads

Ads

giovedì 31 maggio 2012

Zana Cela: “Projektet e mia mes trashëgimisë kulturore e fëmijëve”



Pas finales së “Perform-Fest”, vijon puna me dy projekte të financuara nga BE.
Dikur ajo ishte një nga ata fëmijë që priste me ankth pas kuintave, të ngjitej në skenë. Sot, te çdo rrahje zemre e vogël, ajo kujton veten, ndaj dhe punën për promovimin e talenteve të reja e ka me shumë pasion.
Prej dy vjetësh, producentja Zana Çela po realizon në ekranin e Televizionit Publik Shqiptar një festival për fëmijë të titulluar “Perform-Fest”.
Kompozitorët më të mirë shqiptarë kompozojnë këngë të reja për këngëtarët e vegjël të zgjedhur mes audicionesh e të trajnuar për 5 muaj rresht. Por jo vetëm kaq. Këtyre talenteve të vogla u shtohen edhe ata që dikur kanë qenë si ata. Bëhet fjalë për artistë me emër, që e kanë nisur karrierën pikërisht në skenat e festivaleve të fëmijëve. Bashkë me fëmijët kanë kënduar sopranoja e madhe Inva Mula, këngëtarja Irma Libohova, e shumë e shumë të tjerë. Ky festival, i cili ka finalen nesër në mbrëmje, ka qenë një nga preokupimet e producentes e prezantueses, e cila tashmë ka ndërmmarrë një tjetër nismë. Lidhet sërish me promovimin, por jo më të talenteve të reja, por të trashëgimisë kulturore, çka me sa duket, pas finales së nesërme, do t’i marrë asaj më shumë energji.
Zana, ju prej kohësh keni treguar interesin tuaj të fortë ndaj aktiviteteve që promovojnë talentet e reja, por këtë herë po realizoni një event që lidhet me mosha më të vogla, si lindi kjo ide?
Është e vërtetë, ideimi dhe prodhimi i formateve që ndihmojnë nxitjen e pasionit për artin, zbulimin e talenteve të reja dhe rritjen e tyre në skenë, kanë qenë qëllimi i krijimtarisë sime si autore programesh televizive dhe producente. Dhjetëra të rinj, të ndihmuar e promovuar në këto produksione, sot interpretojnë në skena prestigjioze kombëtare dhe ndërkombëtare. Por ka disa muaj që në punën time kanë marrë prioritet projektet për Trashëgiminë Kulturore dhe Fëmijët. Këto projekte, të cilat janë, i pari me Delegacionin e Bashkimit Europian dhe i dyta me TVSH-në, më kanë marrë gjithë pasionin dhe kohën time të punës.
Projekti i fëmijëve lindi me dëshirën për të pasuruar argëtimin e fëmijëve përmes artit, duke realizuar kështu njëherazi dhe edukimin shpirtëror, kulturor të tyre. Mendova që eventin ta titullonim “Perform-Fest”, në të cilin fëmijët jo vetëm do këndonin, por do kërcenin e aktronin njëkohësisht, pra menduam të ishte një eveniment multiart. Së bashku me drejtorin e Përgjithshëm të TVSH-së, Petrit Beci, vendosëm që ky aktivitet të prodhonte këngë të reja për fëmijë, duke pasuruar kështu shumë repertorin e këngës për fëmijë, me stilet dhe preferenca të reja muzikore, që kanë fëmijët e sotëm. Duke ndier detyrimin e institucionit publik, bordi drejtues i RTSH-së jo vetëm e mbështeti këtë eveniment të ri për fëmijë, por i dha një vëmendje të veçantë, duke vendosur transmetimin e tij çdo të shtunë në orën 20:45.
Ka edhe pak nostalgji personale për kohët kur edhe ju ishit si ata, në gjithë këtë ndërmarrje?
Ju me pyesni nëse ky festival lidhet edhe me një nostalgji personale, sigurisht që po. Kur punoj tani me fëmijët, çdo ditë më kujtohet fëmijëria ime, festivalet për fëmijë, emocionet e shumta aq të bukura që unë kam pasur fatin t’i përjetoj që në moshën 6-vjeçare, e përmes këtij festivali dua që dhe këta fëmijë të përjetojnë të njëjtat emocione dhe kujtime të mrekullueshme që të jep kënga dhe skena. Këto emocione do jenë dhe për ta nxitësit kryesorë të pasioneve të mëdha, pavarësisht drejtimit që do u marrë jeta.
Ky aktivitet gërsheton të vjetrën dhe të renë, si ju duket sa ka evoluar muzika për fëmijë?
“Perform-Fest” është tashmë festivali i fëmijëve dhe artistëve-yje, që nisën karrierën kur ishin të vegjël. Kur formatuam këtë festival, menduam që jo vetëm të krijonim këngë të reja për fëmijë, por dhe të ringjallnim repertorin më të mirë, të shkruar ndër vite, në mënyrë që t’u linim fëmijëve të sotëm trashëgiminë më të mirë të këngës për fëmijë. Një pjesë e rëndësishme e spektaklit me titull “Këngët dhe vitet më të mira” sjell përmes arkivit këngët dhe krijuesit më të mirë, e më pas fëmijët konkurrentë përzgjedhin këngët që ata duan t’i mbajnë në repertorin e tyre.
Por këtë trashëgimi e sjellim në skenë dhe përmes artistëve më të mirë të skenës sonë, të cilët e kane filluar karrierën kur ishin të vegjël. Në çdo puntatë, në skenë bashkë me fëmijët është dhe një artist, i cili rrëfen historinë e tij artistike dhe këndon me fëmijët këngët e tij, duke u lënë atyre repertorin më të mirë, por dhe eksperiencën artistike.
Si e kanë pritur këngëtarët BIG ftesën tuaj?
Shumë mirë, e kanë pritur si një vlerësim që i bëhet eksperiencës së tyre artistike, si një referencë pozitive për t’u rrëfyer përpara brezit më të ri, fëmijëve. Ata kanë anuluar shumë impenjime për të qenë të pranishëm me fëmijët në skenën e “Perform-Fest”. Kujtoj këtu rastin e Invës, që anuloi një shfaqje në Teatrin e Barcelonës, apo Irmën që anuloi dy koncertet e saj në Kosovë… Gjej rastin t’i falënderoj të gjithë për pjesëmarrjen e tyre.
Po fëmijët që marrin pjesë, si janë zgjedhur?
Fëmijët pjesëmarrës janë përzgjedhur përmes një audicioni, i cili u zhvillua në tri faza, në muajt janar e shkurt. Personalisht jam shumë e kënaqur nga niveli i tyre. Atë këndojnë dhe interpretojnë, kërcejnë në skenë, a thua se kanë vite që ushtrohen si artistë të vërtetë. Sigurisht që ata të arrinin këtë interpretim kanë punuar shumë. Ne kemi 5 muaj që i trajnojmë në këngë e kërcim dhe për ta kjo periudhë ka qenë një shkollë 5-mujore arti.
Cila është pritshmëria juaj nga ky aktivitet?
Unë jam e bindur që 64 këngë të reja që janë kompozuar vitin e kaluar, në edicionin e parë dhe këtë vit, në edicionin e dytë, në “Perform-Fest”, të gjitha do të mbeten në repertorin e këngës për fëmijë. Të gjitha këngët janë shumë të bukura, shumë tendencë, sinkron preferencave tematike dhe muzikore të fëmijëve të sotëm. Këto këngë janë kompozuar nga kompozitorët më të mirë që ka vendi ynë, krijimtari që ata ia kanë dedikuar me shumë pasion fëmijëve të sotëm. Janë të shumtë autorët, prandaj nuk po ua përmend emrat, por i falënderoj pa masë.
Si ka evoluar muzika për fëmijë?
Kënga për fëmijë këto vitet e fundit duket se ka marrë tendenca të reja. Ajo tashmë nuk është një këngë e ndërtuar me strukturë të thjeshtë, që vetëm këndohet. Jo, tashmë fëmijët duan të bëjnë më shumë gjëra njëkohësisht, të këndojnë, të luajnë në instrument dhe të kërcejnë e aktrojnë. Këto multi dëshira përcaktojnë strukturën dhe ritmikën e këngëve të sotme.
Mund të na zbuloni ndonjë surprizë të natës finale që tashmë është afër?
Nata finale e “Perform-Fest” do të jetë ditën e enjte më datë 31 maj, në orën 20:45. Ne kemi menduar që në finalen e edicionit të dytë t’i bëjmë një dhuratë të mrekullueshme të gjithë fëmijëve, do të prezantojmë muzikalin e parë për fëmijë me titull “Fantastikët”, në të cilin do interpretojnë të gjithë fëmijët pjesëmarrës të festivalit. Ky muzikal është kompozuar nga Sokol Marsi, me tekst të Jorgo Papingjit, si një produksion i “Perform-Fest”. Sigurisht, gjatë finales do ketë të ftuar, shumë spektakël me tablo koreografike dhe mbrëmja do kulmojë me ndarjen e çmimeve dhe shpalljen e fituesve të “Perform-Fest” 2.
ALMA MILE PANORAMA

Nessun commento:

Posta un commento